Shqipëria krenohet me turizmin malor, i cili është shumë i pëlqyer jo vetëm nga vendasit por dhe turistët e huaj.

Pozicioni gjeografik i vendit tonë e jep këtë mundësi, me peizazhin e saj të thyer e tepër piktoresk ju mund të kaloni pushimet tuaja në vende të qeta, larg zhurmës dhe trafikut, duke shijuar pamjen dhe ushqimet tradicionale të zonave të ndryshme.

Ja cilat janë disa nga vendet më të pëlqyera për t’u vizituar dhe përse duhet t’i vizitoni me patjetër! 😃

1.Thethi 🏕

Thethi konsiderohet për mjaft turistë si një nga pjesët më të bukura malore në të gjithë Europën.

I mbrojtur nga muret e maleve madhështore, i shtruar me livadhe, pyjet e ahut e burime të ftohta uji, zona malore turistike e Thethit e shndërron Shqipërinë në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët. Madhështia e natyrës së paprekur që të ofron kjo zonë nis me praninë e pyjeve të dendura, ku përveç pemëve të larta mbizotëron dukshëm edhe bimësia e ulët me lule shumëngjyrëshe e të rralla në llojin e vet.

2. Valbona 🏕

Uji i pastër i lumit Valbonë, ambienti i bukur natyror dhe qetësia e bëjnë këtë zonë mjaft tërheqëse për pushime. Pothuajse gjatë gjithë 51 km të lumit gjen pushues, të cilët jo vetëm freskohen në ujin e pastër, por gjuajnë edhe troftat e rralla të Valbonës.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

3. Lumi i Shalës 🏞

Mund t’ju kenë folur me shumë entuziazëm për Lumin e Shalës dhe t’ju kenë treguar mjaft foto panoramike . Asgjë nuk është e mbivlerësuar dhe fotot nuk arrijnë ta mbërthejnë realisht të gjithë bukurinë që ka për t’ju ofruar ky vend.

Nëse ende nuk e keni vizituar, çfarë prisni? 🧐

Lumi i Shalë buron rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka një gjatësi prej 37 kilometra prej burimit në majën e Radohinës e deri në Koman. Lumi i Shalës është një destinacion turistik si për  turistët e huaj dhe pushuesit vendas, ku shumica prej tyre e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë.